Malësia me dy "Takime Vendlindjesh"!
Malësia e Bujanocit, sipas organizatorëve të paraqitur do të ketë dy "Takime të Vendlindjes".Edhe pse një organizim i tillë për këtë vit ishte paralajmëruar qysh më 6 korrik, sot me një organizim tjetër në vete paraqitet fshati Muhoc, pjesë e Malësisë së Bujanocit.
Njoftimi i sotëm i Këshillit organizativ nga fshati Muhoc, ndër të tjera paralajmëron “Takimin e Vendlindjes” vetëm për këtë vendbanim me vendasit, të shpërngulurit si dhe mërgimtarët.
“Takimet e Vendlindjes” në Muhoc është paraparë të mbahet të dielën (20 korrik) në oborrin e shkollës fillore “Migjeni” me fillim në orën 15:00.
“Njoftojmë se manifestimi “Takimet e Vendlindjes”, është tradicional dhe mbahen çdo vit në fund të javës së tretë të muajit korrik. Qëllimi i këtij manifestimi është takimi me të shpërngulurit nga fshati Muhoc si dhe takimi me mërgimtarët tanë që jetojnë përkohësisht në botën e jashtme”, thuhet në njoftim, transmeton Titulli.
Vlen theksuar se para këtij organizimi, më 6 korrik, një Këshillë tjetër organizues nga Malësia e Bujanocit kishte paralajmëruar mbajtjen e “Takimit të Vendlindjes”, ku nuk përjashtohej edhe fshati Muhoc.
Në këtë njoftim ndër të tjera thuhej se për këtë takim “ka qenë interesim i banorëve të shumtë të ndjekur e të shpërngulur nga fshatrat e Malësisë së Bujanocit: Zarbicë, Priboc, Novosellë, Suharrën, Ramabuqë, Çarr, Gjergjec etj”.
Ky “Takim i Vendlindjes” është paralajmëruar për t’u mbajtur më 3 gusht në fshatin Zarbicë./Titulli.com/